Informata për programin
Ky program është unik në Kosovë dhe rajon. Asnjë universitet ose kolegj në Kosovë dhe rajon nuk ofron një program të tillë.
Programi bachelor në Menaxhimin e Energjisë ju aftëson në projektimin e sistemeve optimale të energjisë në ndërtesa, ndërtimin e sistemeve të nxemjes, ftohjes dhe ventilimit në ndërtesa që krijojnë cilësi të mirë të ajrit në ndërtesa si dhe të fitojnë njohuri për ndërtimin e shtëpive pasive me konsum të ulët të energjisë.
Programi përqëndrohet në fitimin e shkathtësive të kursimit të energjisë, sistemeve të energjisë dhe dizajnit të integruar energjetik në ndërtesa.
Planprogrami i këtij programi të studimeve është përgatitur nga Universiteti Norvegjez për Shkencë dhe Teknologji në kuadër të projektit të përbashkët hulumtues që Kolegji ESLG e implementon me NTNU-në me titull "Ndërtesat e Qëndrueshme Efiçiente të Energjisë"/Programi HERD i cili financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë.
NTNU është një prej universiteteve më të mira në botë në fushën e menaxhimit të energjisë.
Programi bachelor në Menaxhimin e Energjisë është program tre vjeçar i studimit. Programi ka 180 ECTS kredi.
Të diplomuarit munden të fitojnë pozita udhëheqëse në sektorin e energjisë dhe të bëhen auditor të energjisë në ndërtesa.
Programi bëhet edhe më atraktiv duke pasur parasysh faktin se Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës dhe Banka Botërore kanë lansuar projektin për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtëritshme, e cila do të përkrahet përmes kredisë së IDA në vlerë prej 31 milionë dollarëve. Gjithashtu Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar nismën për arritjen e masave për efiçiencës së energjisë në nivel të komunave të Kosovës.
Vërejtje: Programi nuk është për momentin i akredituar, andaj programi nuk regjistron studentë të rinjë. Akreditimi ka skaduar më 30.09.2019. Informatat në faqen e internetit janë për studentët ekzistues.